Drejtori sportiv i klubit saudit Al Nassr, Marcelo Salazar, ka thënë se nuk duhet të diskutojë për negociata me portugezin Cristiano Ronaldo.
Ronaldo u largua nga Manchester United para Kupës së Botës pas një interviste të diskutueshme në të cilën ai kritikoi ashpër drejtuesit dhe trajnerët e klubit.
U spekulua se ai mund të shkonte në Chelsea, Napoli ose të rikthehej në Sporting nga Lisbona, dhe mbi të gjitha për të shkuar te Al Nassr , i cili dyshohet se i ofron qindra milionë paund për dy vite lojë, por edhe për të qenë ambasador i Arabia Saudite në përpjekje për të marrë organizimin e Kampionatit Botëror të futbollit 2030.
Salazar as konfirmoi dhe as mohoi se Ronaldo është rrugës për në Al Nassr.
“Nuk më lejohet të them po ose jo. Le të presim dhe të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të vitit. Siç mund ta shihni, ne po flasim për negociata të përmasave të mëdha, jo vetëm për klubin, por edhe për vendin dhe botën e futbollit dhe ato duhet të drejtohen nga autoritetet më të larta të vendit ”, tha Salazar .
“Ajo që mund të them është se Cristiano Ronaldo është një nga më të mirët në historinë e futbollit. Ai ka qenë gjithmonë shembull për mua si sportist, me vullnetin që tregon për të fituar. Dhe si portugez unë gjithmonë e mbështes atë”, shtoi ai.
Salazar gjithashtu iu referua kritikave për cilësinë e ligës saudite.
“Është e lehtë të kritikosh diçka që e shpërfill. Unë jam këtu për pesë vjet dhe të gjithë futbollistët me të cilët fola u befasuan shumë pozitivisht kur erdhën këtu, veçanërisht për shkak të nivelit të ligës. Të jetosh në Riad me familjet ishte një surprizë e këndshme për lojtarët, me shkollat dhe gjithçka që kemi këtu” , tha ai.
Në fillim të muajit, gjatë Kupës së Botës në Katar, Ronaldo tha se thashethemet për një kalim te Al Nassr nuk ishin të vërteta./FolDrejt/