Përfituesit nga rrjete sociale si TikTok, Instagram, YouTube, Facebook, e të tjera, tash e tutje do të tatohen nga shteti.
Në fakt, Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se ligji për t’u tatuar fitimet nga rrjetet sociale ka ekzistuar kaherë, pasi që të njëjtat trajtohen njëjtë si bizneset tjera. Por tani, kanë bërë programet softuerike, që ua mundëson t’i detektojnë përfituesit.
I njëjti ka treguar edhe për shumën që do ta paguajnë përfituesit nga rrjetet sociale.
Sipas tij, “te bizneset e vogla ose të individët që realizojnë të ardhura brenda tre muajve deri në 1250 euro, është një normë 37.5 euro, që duhet për të paguar tatim si dhe kontributin pensional. Mbi atë shumë, duhet të paguajnë pjesën e 9 për qind në pjesën e të hyrës së saj. Por, nëse kanë qarkullim mbi 30 mijë euro brenda viti, janë të detyruar të paguajnë edhe TVSH, gjë që norma e TVSH është 18%”.
ATK, po ashtu do të mbledh tatimin edhe nga veprimtaritë ndërtimore, siç është ndërtimi i lartë dhe i ulët, grupet punuese dhe personat fizikë në kuadër të veprimtarisë së ndërtimtarisë, si: muratorët, armaturë punuesit, betonime, gërmimet e dheut, punuesit e kulmeve, prodhimi dhe montimi i dyerve dhe dritareve, elektricistët, instaluesit e ujit dhe ngrohjes qendrore, montuesit e parketit/laminatit, montuesit e qeramikës, suvatuesit – fasada, prodhimi dhe montimi i ulluqeve, rrethojave të ballkoneve, shkallëve dhe rrethojave të oborreve nga metalet e ndryshme dhe druri, etj.