Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se ata nuk kanë hequr dorë nga planet e tyre për të zbuluar origjinën e pandemisë Covid, shruan Klix, përcjell Fol Drejt.
“Dua të jem shumë i qartë se OBSh nuk ka hequr dorë nga plani për të identifikuar origjinën e pandemisë Covid”, theksoi ai.
Ai tha se u ka shkruar dhe u ka folur liderëve të rangut të lartë kinez në disa raste, më së fundi vetëm disa javë më parë. Tedros theksoi se të gjitha hipotezat për origjinën e virusit mbeten të hapura derisa të dihet e vërteta.
Gazeta amerikane “The Wall Street Journal” njoftoi të dielën, më 26 shkurt, se Departamenti Amerikan i Energjisë arriti në përfundimin se pandemia ndoshta filloi nga një rrjedhje nga një laborator kinez, gjë që Pekini e mohon.
Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se zyrtarët kinezë duhet të ndajnë më shumë informacion rreth Covid-it. Shumë nga kufizimet e rrepta të vendit janë hequr gjatë javëve të fundit, por numri i rasteve është rritur dhe disa vende tani po kontrollojnë udhëtarët nga Kina.
Zyrtarët e OBSh-së thonë se duan më shumë të dhëna për shtrimet në spital, pranimet në njësinë e kujdesit intensiv dhe vdekjet. Ai gjithashtu kërkon informacion për vaksinat.
Shtetet e Bashkuara, Spanja, Franca, Koreja e Jugut, India, Italia, Japonia dhe Tajvani kanë prezantuar teste Covid për udhëtarët nga Kina pasi kanë frikë nga rishfaqja e virusit. Pasagjerët që mbërrijnë në Angli nga Kina do të duhet të japin një test negativ përpara se të hipin në fluturim. /FolDrejt/