Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, ka pritur në një takim zyrtar këshilltarin e lartë të ICITAP-it amerikan, Timothy Altomare, raporton Fol Drejt.
“I sapoemëruari, drejtor i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, në zyrën e tij, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, ka zhvilluar një takim zyrtar me këshilltarin e lartë dhe këshilltaren vendore, në kuadër të programit të ICITAP-it, Departamenti i Drejtësisë së ShBA-ve z. Timothy Altomare dhe znj. Leonora Berkani. Pjesë e diskutimeve ishte partneriteti i vazhdueshëm strategjik në mes të DOJ/ICITAP dhe Policisë së Kosovës për avancimin e praktikave efektive për zbatim të ligjit dhe parimet e forta të sundimit të ligjit në polici., shkruan në njoftimin e policisë në Facebook.
Sipas raportit, Altomare ka shprehur zotimin për vazhdimin e ofrimit të ndihmës në drejtim të ngritjes profesionale të Policisë si dhe në prioritizimin e fuqizimit të marrëdhënies me qytetarët.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha është zotuar për vazhdimin e partneritetit me ICITAP-in dhe agjencitë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara duke vlerësuar ndërkohë mbështetjen e tyre në të kaluarën. /FolDrejt/