Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, sot bëri të ditur se 25 zyrtarë janë prekur nga COVID-19, prej tyre 11 janë shëruar dhe 14 të tjerë janë në trajtim.
Qalaj, po ashtu, tha se numri i përgjithshëm i policëve që janë vetizoluar për momentin është 138, ndërsa deri më sot ka qenë 390.
“Mund të themi që numri i përgjithshëm i zyrtarëve policorë është 25, prej tyre 11 janë shëruar dhe 14 janë në trajtim. 13 policë dhe një është zyrtar civil. Numri i përgjithshëm i personave që janë vetizoluar për momentin është 138, ndërsa kanë qenë 390 deri më sot. Është dashur t’i testojmë zyrtarët policorë edhe pse testi ka dalë negativ ata sot janë në vetizolim”, ka thënë Qalaj.
Ai, po ashtu, theksoi se prej 14 personave që janë në trajtim, një prej tyre është zyrtar civil.
Sa i përket punës së Policisë së Kosovës, ai tregoi se është duke vazhduar me orar të rregullt, përveç rajonit të Prizrenit, i cili ende punon në orar të zgjatur, prej 12 orësh.
“Puna vazhdon normalisht. Rajonin e Prizrenit e kemi mbështetur me personel. Kemi problem me transportin e policëve që i dërgojmë në Prizren. Gjatë kohës së pandemisë ka pasë shumë aktivitete policore të ndryshme. Mendoj që edhe policia ka bërë një punë mjaft të mirë. Që nga dje kemi filluar të punojmë me orarin normal 8 orësh, përveç drejtorisë rajonale të Prizrenit që do të punojë në orar 12 orësh.
Qalaj, gjithashtu, bëri të ditur që Policia e Kosovës, gjatë gjithë kohës është në terren për të mbajtur nën kontroll situatën.
“Është një numër më i madh i qytetarëve që dalin në rrugë. Policia po mundohet që ta mbaj nën kontroll kufizimin e lëvizjes, në shumicën e rasteve ne bisedojmë me ta dhe vetëm në raste ekstreme ndërmarrim masa”.Telegrafi