Javën që lamë pas është shënuar një rast i ri me virusin COVID-19 në Prishtinë. Kjo pas disa ditësh prej kur në kryeqytet nuk pati raste të reja të infektimit me koronavirus. rasti i fundit u shënua mbrëmjen e së dielës. Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka treguar në një lidhje direkte për Gazetën Express se sot janë testuar 20 persona. Gashi ka treguar se nëse mund të kthehet masa e karantinimit në Prishtinë
Gashi ka treguar se të dielën janë testuar më shumë se 60 persona, nga ku vetëm një rast ka rezultuar pozitiv.
“Kemi pasur mbi 60 persona të testuar dhe rezultoi që të kemi vetëm një rast pozitiv. Dje prisnim numër më të madh për shkak të kontakteve të shumta që ishin me rastet e një dite më parë ku rezultuan të jenë pozitive tri prej tyre”, ka treguar Gashi.
Gashi theksoi se sot do të testohen 20 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me personat që janë konfirmuar me koronavirus në ditët e fundit në Prishtinë.
“Sot në tendën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare janë testuar mbi 20 persona, kësaj liste sigurisht se do t’i shtohen edhe personat të cilët testohen në Klinikën Infektive dhe në karantinën e Qendrës Studentore”, deklaroi Gashi në një lidhje direkte për Gazetën Express.
Gashi përmendi edhe daljen e madhe të qytetarëve gjatë ditëve të fundit, ku shtoi se janë në koordinim edhe me nivelin qendror për të parë nëse qytetarët po i respektojën masat dhe nëse është e nevojshme që të Prishtina të izolohet sërish.
“Nga dalja e karantinës megjithatë kemi pasur një lëvizje më të madhe të qytetarëve si në këmbë, në markete, ashtu edhe me vetura, do të thotë nga e hëna e kaluar kemi pasur një fluks më të madh të qytetarëve të cilët disa kanë respektuar rekomandimet, por ka pasur edhe raste që i kemi parë duke qarkulluar pa masa mbrojtëse”
“Thirrja dhe lutja jonë ka qenë që sidomos nga e hëna t’i respektojnë masat, t’i kenë masat mbrotjëse, pasi lufta me COVID-19 është aktuale dhe nuk ka përfunduar ende. Jemi në koordinim ditor edhe me nivelin qendror dhe me Shtabin e Komunës së Prishtinës, dhe aktualisht varësisht nga zhvillimi i situatës edhe mund të merren masa ashtu siç ka treguar edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës”, ka thënë Gashi.