Drejtoria e Inspektorateve në Prizren gjatë këtyre dy javëve ka vepruar në bazë të vendimit për rregullimin e qytetit dhe shërbimeve komunale, duke filluar me lirimin e hapësirave publike.
Nga java e kaluar të gjithë prodhuesit e prodhimeve bujqësore, shitësit ambulantë dhe tregtarët që merren me tregëtimin e produkteve të ndryshme janë larguar nga rrugët dhe trotuaret dhe të njëjtët janë sistemuar në tregjet legale që ka komuna e Prizrenit.
“Deri më tani intervenimet janë bërë në lagjen ‘Bazhdarhane’, në rr. ‘Rrustë Kabashi’, në rr. ‘Fan S. Noli’ afër çerdhes Yllka, në rr. ‘Ahmet Prishtina’ dhe në disa lokacione të tjera brenda qytetit. Gjithashtu largimi i shitësve ambulantë është bërë edhe te tregu i veturave në rrugën magjistrale Prizren – Suharekë”, ka njoftuar komuna e Prizrenit, duke shtuar se lirimi i hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët e javët në vazhdim, në të gjitha zonat në komunën e Prizrenit.