Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës ka propozuar që lehonat me gjendje jo të mirë financiare të subvencionohen me nga 500 euro.
Drejtoresha Adelinë Sahiti njoftoi se ky propozim-vendim është futur në agjendë për seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe ka ftuar të gjithë këshilltarët komunalë që ta përkrahin atë.
Për këtë propozim ajo tha se ka marrë përkrahjen e Komitetit për Politika dhe Financa.
Ky është njoftimi i plotë i saj:
“PROPOZIM VENDIM PËR SUBVENCIONIMIN E LEHONAVE TË SKEMËS SË NDIHMËS SOCIALE
Bazuar në takimet e drejtpërdrejta me qytetarë, duke ju referuar diskutimeve me ta (përfituesit e skemës sociale) dhe kërkesave që i pranojmë si Drejtori për Mirëqenie Sociale si dhe ndonëse më e rëndësishmja në bazë të gjetjeve nga Hulumtimi i Vlerësimit të nevojave të familjeve me skemë sociale, në kuadër të fuqizimit të familjeve, gjegjësisht në bazë të nevojës për ndihmë të njëhershme financiare, Drejtoria për Mirëqenie Sociale ka propozuar vendimin për subvencionim të nënave/lehonave përfituese të skemës së ndihmës sociale me 500€.
– Ky propozim vendim është futur në agjendë për seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, në të cilin inkurajojmë të gjithë këshillëtarët komunal që ta përkrahin këtë iniciativë në formë vendimi.
Atë sot e prezantova para Komitetit për Politikë dhe Financa, ku njëzëri u mbeshtet nga shefat e grupeve të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Prishtinës!
Sa për ta ilustruar më detajisht, referuar hulumtimit të realizuar, 80% e familjeve të përfshira në këtë hulumtim (në të cilin kanë marrë pjesë 1014 familje), deklarojnë se kanë të hyra mes 101-300€ për muaj, 17% mes 301-500€ dhe pjesa tjetër mbi 500€.
Pra, ky është vetëm një nga argumentet e shumta e që tregon se sa e nevojshme është kjo ndihmë për ta, e cila po realizohet për herë të parë në Komunën e Prishtinës“./FolDrejt/