Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic tha se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë dhe të mbështesë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nëse do të ketë raunde të reja negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të dëshironte që Mali i Zi t’i presë ato.
Abazovic, i pyetur se si Mali i Zi mund të kontribuojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha se Mali i Zi luan një rol të pajtimit në rajon dhe se ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje dhe është i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë, duke përfshirë nga ana logjistike.
“Personalisht do të doja të zgjeroja ofertën time – nëse ka raunde të reja negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, t’i pres në Mal të Zi”, ka thënë Abazovic.
Ai tha se Mali i Zi nuk është pjesë e dialogut, por se personalisht beson se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që do t’i sjellë diçka edhe Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është rruga që duhet të shkojë rajoni. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, kur të plotësohen të gjitha kriteret, hyrja në Bashkimin Evropian si synim final për të gjithë rajonin”, tha kryeministri malazez.
Ai beson se gjëja më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes dhe shton se që të ndodhë kjo, të dyja palët duhet t’i përmbahen asaj që kanë rënë dakord.
“Unë nuk jam përkrahës i idesë që palët të nënshkruajnë diçka pa monitoruar zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar mirë në të kaluarën. Gjëja më e rëndësishme është që ajo për të cilën janë dakord të zbatohet në praktikë”, tha Abazovic.
Ai theksoi se është e nevojshme që edhe Kosova edhe Serbia të respektojnë dispozitat e veçanta të aneksit për zbatimin, duke përfshirë ato që Serbia të mos e bllokojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që Kosova të formojë Bashkimin e Komunave Serbe.
Duke qenë se së fundmi është takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Abazovic thotë se kryeministri shqiptar e mbështet marrëveshjen, por thekson se as Rama dhe as ai nuk janë palë në dialog.
Abazovic u bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit që të bëjnë përparim në zbatimin e marrëveshjes.
“Mesazhi im për Kurtin dhe Vuçiqin dhe këtë e them me mirëbesim si mik, është që të marrin vendime të vështira”, tha Abazovic, transmeton Fol Drejt.