Dritarja e transferimeve në Pro Ligën Saudite do të mbyllet më 7 shtator dhe jo më 20 shtator siç mendohej fillimisht, shkruan Sky Sports, transmeton Fol Drejt.
Sipas faqes së internetit të FIFA-s, dritarja saudite mbyllet më 20 shtator, por shoqatat anëtare mund të vendosin një datë më të hershme të përfundimit për një kompeticion specifik brenda territorit të tyre.
Federata e Futbollit të Arabisë Saudite u shkroi të gjitha klubeve të SPL më 30 qershor për t’u thënë atyre se kjo dritare do të mbyllet më 7 shtator.
Në përgjithësi, shoqatat anëtare të FIFA-s duhet të vendosin dy periudha regjistrimi në sezon për lojtarët profesionistë. Kohëzgjatja, datat e fillimit dhe të përfundimit të çdo periudhe regjistrimi duhet të respektojnë kufijtë e përcaktuar në nenin 6 paragrafi 2 të Rregullores mbi Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve .
Të martën, menaxheri i Liverpool, Jurgen Klopp tha se ishte i shqetësuar që dritarja e transferimeve në Arabinë Saudite u mbyll më vonë se në Evropë.
“Gjithsesi gjëja më e keqe që unë mendoj është se dritarja e transferimeve në Arabinë Saudite është e hapur për tre javë më gjatë”, tha ai. “Nëse kam të drejtë, kam dëgjuar diçka të tillë, atëherë të paktën në Evropë kjo nuk është e dobishme. UEFA ose FIFA duhet të gjejnë zgjidhje për këtë.”, tha Klopp.