Ndonëse nuk është pranuar zyrtarisht, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës nuk i ka mohuar spekulimet se është në drejtim të forcimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me teknologji ushtarake të avancuar, shkruan Fol Drejt.
“Për këtë është duke u punuar pandërprerë, ngase synimi ynë është avancimi i ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-s” – janë deklaruar para disa ditësh për Telegrafin nga kjo ministri, duke mos e hedhur poshtë pretendimin se, megjithatë, diçka në atë drejtim është bërë.
Ish komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, po për Telegrafin, sot ka thënë se blerja e dronëve nga Ministria e Mbrojtjes, blerja e makinave të ndryshme janë paraparë sipas ligjeve të FSK-së, të miratuara në vitin 2018, kur ka ndodhur tranzicioni i FSK-së në ushtri.
Sipas Kastratit plani i forcimit të ushtrisë dhe ngritja e kapaciteteve është paraparë prej kohësh.
“…unë shumë herë kam thënë që duhet të përshpejtohet ngritja e kapaciteteve dhe ngritja e avancimit të blerjeve tjera që janë të parapara me ligj”, ka pohuar Kastrati.
Përndryshe bëhet fjalë për dronë inteligjentë sulmues, që funksionojnë pa pilotë, dhe që kontrollohen nga një bazë tokësore.
Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.
Efikasiteti i tyre është provuar edhe në terren. Nuk dihet sakt sasia e blerjes së tyre, por jozyrtarisht është thënë se janë blerë 5 të tillë./FolDrejt/