Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, deputetja Duda Balje, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asgjë për të zhdukurit e luftës në Kosovë, duke shtuar se një çështje e tillë nuk po trajtohet si primare.
Duda Balje ka reaguar pas reagimit të familjarëve të të zhdukurve gjatë fjalimit të aktivistes serbe, Natasha Kandiq.
“Zonja Natasha kurrë nuk ka qenë pjesë e politikës së Serbisë”, ka thënë Balje në një intervistë gjersa ka shtuar se ajo ka mbrojtur viktimat e Kosovës edhe para gjyqtarëve serbë.
Megjithëse ishin të ftuar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk morën pjesë në këtë takim.
“Për presidenten kam pas disa thirrje mirëpo asnjë përgjigje”, ka thënë Balje duke shtuar se takimi përfshinte mbi 60 persona.
E ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Balje ka thënë se konfirimi i Natasha Kandiq për pjesëmarrjen në takimin e organizuar nga Komisioni, është konfirmuar brenda gjysëm ore pasi ka dërguar ftesën.
Natasha Kandiq është aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, dhe themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare. Ka qenë një ndër të rrallat në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.