Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka përkujtuar sot 29 prillin e 24 viteve më parë.
Për këtë ai reagoi përmes një njoftimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Sot është 29 prill 2023, një ditë e zakonshme, mirëpo këtu 24 vite më parë nuk ishte e tillë.
Më 29 prill 1999, me tre autobusë të mbushur më të burgosur politik nën përcjellje të rreptë policore dhe ushtarake po na transferonin nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe burgu i Nishit në burgun e Dubravës.
Ne, të burgosurit e prangosur dhe lidhur me zinxhirë në autobus, nuk e kuptonim pse po ndodhte ky transferim në këtë kohë tejet të pasigurt, sepse një vit më parë, një pjesë të konsiderueshme të burgosurish që ishim në Dubravë na patën larguar nga aty për në burgjet e Serbisë.
Në vendimin e nënshkruar nga Ministri i Drejtësisë së Serbisë, na thanë se po ju largojmë për arsye sigurie. Tani kur lufta kishte marrë tjetër dimension, sidomos me bombardimet që NATO po zhvillonte kundër forcave të ushtrisë dhe policisë serbe, po na kthenin dhe grumbullonin në Dubravë. Atëherë nuk e kuptuam grumbullimin dhe koncentrimin tonë aty. E kuptuam tek më vonë, atëherë kur filloi zbatimi i planit kriminal e gjenocidal nga hierarkia shtetërore serbe mbi të burgosurit shqiptarë” u shpreh ai./FolDrejt/