Greva e madhe paralajmëruese e së hënës, më 27 mars, ndoshta ishte vetëm një pararendës i mosmarrëveshjeve të ardhshme për pagat, sepse për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, e me këtë edhe pozitës më të fortë të punonjësve, me siguri do të ketë greva të tjera, shkruan Deutsche Welle.
Sipas raportimeve, disa punëdhënës mund të mbeten në pozitë të vështirë për shkak të kërkesave aktuale për rritje pagash. Sindikata e sektorit publik Verdi kërkon 10.5 për qind më shumë pagë dhe rritje mujore prej të paktën 500 eurosh, ndërsa sindikata e hekurudhave EVG kërkon deri në 12 për qind dhe të paktën 650 euro rritje mujore. Me këtë sindikatat duan të kompensojnë humbjen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni i lartë.
Duke pasur parasysh kërkesat kaq të larta, disa ekonomistë po flasin për një spirale të afërt të pagave dhe çmimeve, domethënë një situatë ku pagat dhe çmimet stimulojnë reciprokisht rritjen, e cila mund të ketë pasoja potencialisht të dëmshme ekonomikisht, transmeton Fol Drejt.