Një muaj paraburgim ua ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, dy serbëve të arrestuar të hënën në veri, pas incidenteve që ndodhën në Zveçan, trasnmeton Fol Drejt.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet më tej në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /FolDrejt/