Dy persona kanë humbur jetën dhe dy roje janë plagosur rëndë gjatë protestave të zhvilluara për Mahsa Aminin në qytetin perëndimor Baneh të Iranit.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare iraniane IRNA, mbrëmë ka pasur protesta në rrugët e qytetit Baneh në provincën Kurdestan. Thuhet se policia ka ndërhyrë pasi disa protestues kanë djegur goma dhe kanë bllokuar rrugët gjatë protestave, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zëvendës guvernatori i provincës së Kurdestanit për Çështjet e Sigurisë, Mehdi Ramazani tha: “Mbrëmë në këtë qytet u mbajt një protestë nga një grup prej rreth 100 personash. Pati shumë persona të armatosur që gjuanin mbi oficerët e policisë”.
Duke theksuar se një ushtar dhe një polic i Ushtrisë së Gardës Revolucionare u plagosën rëndë kur disa protestues hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë gjatë protestave, Ramazani tha se dy demonstrues, të cilët ai i cilësoi si “rebelë”, humbën jetën gjatë protestave.
Zyrtari iranian tha se “organizatat kundër regjimit po planifikojnë të kryejnë veprime të dhunshme në rajon për të destabilizuar provincën Kurdestan”.
Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, e cila u ndalua nga patrullat e Irshadit të njohur si “Policia e moralit” në Teheran më 13 shtator, ndezi protesta në vend.
Edhe pse asnjë informacion i qartë nuk u dha nga burime zyrtare, Organizata Iraniane për të Drejtat e Njeriut me bazë në Norvegji njoftoi se më shumë se 200 persona u vranë në protesta. Mijëra njerëz që morën pjesë në protesta u arrestuan./FolDrejt/