Vjosa Osmani ka kujtuar datën e 4 prillit, kur ajo u zgjodh si Presidente e Republikës së Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani i ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë.
“Si gjithnjë, i vetmi udhërrëfyes në çdo punë e veprim timin është vullneti qytetar dhe interesi i Republikës së Kosovës” – ka shkruar ndër të tjera ajo, duke iu garantuar qytetarëve se kështu do të vijojë deri në fund të mandatit.
“Faleminderit përjetësisht për besimin!” – ka shkruar në fund, duke e shoqëruar postimin me një fotografi.
Më 4 prill të vitit 2021, ajo me 71 vota për, mori besimin në kuvend, duke u bërë presidente. Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë. Në këtë seancë nuk patën marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia pat mundësuar ish partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që aktualisht ndodhet në opozitë./FolDrejt/