Megjithëse pastrimi i veshëve është pjesë e higjienës bazë personale, shumë otolaringologë do të thonë se dylli i veshit është më mirë të lihet i qetë.
Për më tepër, dylli i veshit mund të thotë shumë për ju. Ka dy lloje bazë: të lagësht dhe të thatë, dhe ato lidhen me gjenetikën tonë. Një studim i vitit 2006 zbuloi një gjen specifik përgjegjës për llojin e dyllit të veshit që trashëgojmë, dhe i lagësht është më i zakonshëm se i thati. Studimi shpjegoi gjithashtu se dylli i veshit i lagësht është më i zakonshëm në popullatat me origjinë evropiane ose afrikane, dhe dylli i thatë i veshit është më i zakonshëm në Azinë Lindore – edhe pse sigurisht që ka përjashtime të shumta.
Era e dyllit tuaj të veshit gjithashtu mund t’ju tregojë diçka për shëndetin e veshëve tuaj. Një ndryshim në erë mund të jetë një sinjal se keni një infeksion fungal ose bakterial. Dylli i veshit në përgjithësi nuk e ndryshon formën e tij, infeksioni mund të shkaktojë rrjedhje me një erë të pakëndshme.
Dylli i veshit është një lubrifikant mbrojtës, plot me proteina antibakteriale dhe antifungale që ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të veshit. Mjekët në përgjithësi rekomandojnë që të mos përpiqeni të pastroni veshët nëse procedura është e pakëndshme për ju.
Megjithatë, dylli i tepërt i veshit mund të jetë i keq.
Ka situata në të cilat dylli i veshit duhet të ekzaminohet dhe më pas të hiqet nga mjekët. Nëse jeni duke përjetuar dhimbje në veshin tuaj të brendshëm, mjekët ndonjëherë duhet të heqin dyllin e veshit për të ekzaminuar daullet e veshit dhe për të kontrolluar për dëmtime. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata që përdorin aparate dëgjimi. Si rregull, dylli i veshit del vetë nga kanali i veshit, por forma e aparatit të dëgjimit ndonjëherë do ta bllokojë këtë lëvizje natyrale dhe do të rrisë formimin e dyllit të veshit.
Akumulimi i dyllit mund të zvogëlojë shqisën e dëgjimit ose të shkaktojë kushte të tilla si tringëllimë në veshët. Ata që mbajnë aparate dëgjimi duhet t’i pastrojnë rregullisht dhe të mos anashkalojnë vizitat te mjeku, transmeton Fol Drejt.