Dyqani më i vjetër dhe më i famshëm i çadrave në Evropë “James Smith and Sons”, prej rreth 200 vitesh del në pah si një nga strukturat simbol të qytetit me ndërtesën e saj historike që i përket periudhës viktoriane.
Dyqani “James Smith and Sons”, ku shumë politikanë të njohur si ish-kryeministrat britanikë William Ewart Gladstone (1809-1898) dhe Andrew Bonar Law (1858-1923) si dhe George Curzon (1859-1925) një prej ish-ministrave të Jashtëm të vendit kanë blerë çadrat e tyre, është një dyqan unik i cili me produktet dhe strukturën e tij që sfidon historinë i shpie klientët e tij në të shkuarën.
Në katin e poshtëm të dyqanit, ndodhet punishtja ku punojnë 15 persona dhe në këtë dyqan ku prej pesë brezave shërbehet me traditën familjare, krahas çadrave dhe bastuneve të shtrenjta me modele dhe ngjyra të ndryshme të prodhuara me mjeshtëri me punime dore gjenden edhe produkte të prodhuara me makineri të përshtatshëm për çdo buxhet.
Historia e kompanisë “James Smith and Sons”
James Smith hapi dyqanin e parë “James Smith and Sons” në vitin 1830 në Foubert’s Place në afërsi të Regent Street e cila është një prej bulevardeve më të famshëm të Londrës. Ai filloi punën e tij duke shitur në dyqan çadrat që prodhonte në një punishte të vogël në anën e pasme të dyqanit. Shpjegohet se dyqani i parë i Smith, ishte aq i ngushtë saqë një çadër nuk mund të hapej brenda tij dhe se klientët i hapnin çadrat jashtë dyqanit.
Pasi biznesmeni dhe industrialisti britanik, Samuel Fox shpiku strukturën më të lehtë prej çeliku të çadrës në shekullin e 19-të, në Londër filloi të rritej gjithnjë e më shumë interesi për çadra të lehta dhe fleksibël që mund të përdoreshin me lehtësi.
Djali i James Smith filloi të përdorë strukturë më të lehtë në çadrat që prodhonte dhe me rritjen e punës gjithnjë e më tej e transferoi dyqanin në një ndërtesë më të madhe në 53 New Oxford Street. Dyqani i çadrave “James Smith and Sons” këtu ofroi shërbim për pothuajse 200 vite dhe ka arritur deri më sot duke mos ndryshuar pothuajse aspak.
“Ndodhemi këtu që kur kemi qenë një pjesë ikonike e Londrës”
Drejtori i dyqanit historik të çadrave, Phil Naisbitt ka shpjeguar për Anadolu Agency (AA) procesin e themelimit të dyqanit si dhe të çadrave dhe bastuneve të prodhuar me mjeshtëri dhe produkte të ndryshme nga njëra tjetra të cilat tërheqin interesin e klientëve.
Naisbitt tha se historia e dyqanit bazohet që në vitet 1830 kur kompania “James Smith and Sons” filloi të prodhojë çadra dhe se ata kanë ofruar shërbim në Britani për gati 200 vite që kur janë bërë pjesë ikonike e Londrësa duke prodhuar çadra dhe bastune.
“Ky dyqan është pothuajse i njëjti me kohën kur janë zhvendosur dhe kanë marrë këtë këtu. Shumica e cilësive origjinale janë ende këtu. Si në dyqan ashtu edhe në punishten në katin e poshtëm. Sikur (James Smith) të kthehej mbrapsht, do ta kuptonte se me kohën nuk kanë ndryshuar shumë gjëra”, u shpreh Naisbitt.
Ai tha se bëjnë çadra dhe bastune të ndryshme dhe se çmimet e tyre ndryshojnë sipas copës dhe drurit që përdoret. “Fillojmë me ato që kanë çmime të arsyeshme. Turistët mund të vijnë gjithmonë dhe të blejnë diçka nëse kapen nga shiu”, tha Naisbitt.
Naisbitt theksoi se prodhojnë çadra dhe bastunë unik në një gamë të gjerë. “Bëjmë edhe të tonat dhe ato që janë markë. Më e lira kushton mes 18-19 sterlina ndërsa më e shtrenjta çmimi rritet në varësi të asaj që dëshironi të paguani. Këtu ka gjëra unike mbi 1.000 stërlina”, tha ai.
“Së fundmi kemi pasur edhe 1-2 klientë nga Turqia”
Naisbitt potencoi se shumë klientë nga Londra dhe bota e vizitojnë këtë dyqan historik në qendër të qytetit dhe blejnë çadra dhe bastune sipas shijeve të tyre. Ai shtoi se së fundmi kanë pasur edhe 1-2 klientë nga Turqia.
“Ishte njëri që kishte dëshirë të blinte për dhuratë për ditëlindje dhe ta dërgonte në Turqi dhe ishte një kënaqësi e madhe që ia dërguam këtë. Biseduam me atë për t’u siguruar nëse çadra kishte mbërritur në kohën e duhur dhe na tha se ishte shumë i kënaqur nga çadra. Pra po, Turqia është kliente e jona”, shtoi Naisbitt.
Duke treguar se brenda dyqanit i varur në tavan ndodhet edhe një patkua, Naisbitt ndau një histori se më parë shitësit nuk mund të hapnin çadrat brenda dyqanit me besimin se sjell fat të keq.
“Po, patkoi është pikërisht atje (duke treguar tavanin e dyqanit). Një patkua gjigant, nënkupton se jeni të mbrojtur. Është një histori e vjetër ku një shitës çadrash u shpreh klientëve se brenda dyqanit nuk mund të hapet çadër pasi sjell fat të keq. Në të vërtetë ata kërkonin që çadra të qëndronte e mbyllur dhe me lagështirë sepse në këtë mënyrë ajo prishej dhe më pas blerësi do të vinte sërish për të blerë një çadër të re”.