Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një pjesëtar të policisë si të dyshuar për përfshirje në një rrahje me një qytetar, i cili poashtu është arrestuar, transmeton Fol Drejt.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes nga Policia e Kosovës përkatësisht Stacioni Policor Gjakovë se në rrugën “Ganimete Tërbeshi” në Gjakovë kishte ndodhur një incident- rrahje. IPK është njoftuar për këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të saj pasi që informacionet ishin se ne këtë rast ishte i përfshirë si i dyshuar edhe një pjesëtar i policisë (zyrtar i stafit civil pa autorizime policore dhe jashtë detyrës zyrtare).”, shkruan në komunikatën e IPK-së.
Aty thuhet se hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore duke përfshirë edhe analizimin e disa video pamjeve të incizuara nga kamerat e sigurisë së një lokali.
Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (zyrtarin e stafit civil dhe një qytetar) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
“Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse si pjesë e procedurës administrative pjesëtari i policisë (stafit civil) është suspenduar. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.”, thuhet tutje në njoftim. /FolDrejt/