Ish-futbollisti francez Patrick Vieira, i cili ka luajtur si për Manchester Cityn ashtu edhe për Interin, ka paralajmëruar finalen e Champions League në të cilën do të takohen këto dy skuadra.
Manchester City dhe Inter do të luftojnë për titullin e kampionit të Evropës më 10 qershor në Stamboll. Edhe pse favorit shihet Manchester City, por nuk i dihet, sidomos për një skuadër që ka po aq cilësi sa Interi.
Për këtë është i vetëdijshëm edhe Patrick Vieira, francezi i famshëm që pati mundësinë të luajë për të dyja skuadrat që kaluan në finalen e Stambollit.
Në një intervistë për RMC Sport, francezi me origjinë senegaleze ka veçuar disa avantazhe të Interit dhe në radhë të parë ka përmendur Edin Dzekon dhe Lautaro Martinezin. Për Dzekon ai pohon se loja e tij nuk duket si e një 37 vjeçari, por duket sikur është në të njëzetat.
“Interi e meriton të jetë në finale. Ata janë një ekip i mirë dhe mund të luajnë shkëlqyeshëm. Në finalen e Champions League nuk arrin rastësisht dhe forca e tyre është skuadra. Ata nuk dominojnë shumë në pronësinë e topit, por mbrojnë shumë mirë. Pas kësaj, në kundërpërgjigje, ata janë të aftë të shënojnë gola shumë shpejt. Ata gjithashtu kanë shumë cilësi individuale si Dzeko dhe Martinez. Dzeko duket se është kthyer në të njëzetat, por ai është 37 vjeç, ndërsa Lautaro shënon dhe është në formë të shkëlqyer”, tha Vieira. /FolDrejt/