E ardhmja e Moratës te Juventusi mbetet akoma shumë e paqartë. Çështja e Alvaro Moratës pritet të shndërrohet në një ndër temat më të nxehta të merkatos së verës, përsa i përket kampionatit italian. Sulmuesi madrilen është në pronësinë e Atletikos së Madridit, por siç dihet drejtuesit e “los colchoneros” e kanë dhënë këtë sezon 28-vjeçarin madrilen në formë huazimi pikërisht te “zonja e vjetër”. Tani krerët e klubit bardhezi kanë përpara vetes dy opsione, zgjatjen e huazimit të Moratës edhe me një tjetër sezon, për shumën e 10 milionë eurove, ose blerjen përfundimtare për shifrën e 45 milionë eurove.
Duke patur parasysh formën aktuale të sulmuesit iberik të dyja zgjidhjet duken logjike. Numri 9 i Juventusit ka kontribuar në këto shtatë muaj me 16 gola dhe 12 asiste në të gjithë kompeticionet, megjithatë në Itali po shtohen zërat mbi një largim të mundshëm të tij nga bardhezinjtë. Në Piemont ka spekulime se drejtuesit e “zonjës së vjetër” kanë vendosur për të mos ta mbajtur Moratën në vazhdim për edicionin e ardhshëm. Arsyeja: Impakti negativ në aspektin financiar i pandemisë së koronavirusit, si dhe fakti që Juventusi po kalon një ndër sezonet më të vështirë në këto 15 vitet e fundit. Për hir të së vërtetës krerët e klubit e kanë mbajtur mbyllur gojën dhe nuk kanë pranuar të flasin fare në lidhje me një çështje të tillë, tepër delikate për repartin e sulmit.