Një pronar i pasur tokash akuzohet se është hakmarrë ndaj fqinjit të tij, duke ndërtuar një mur 8 metra të lartë me kashtë, i cili ua ka bllokuar pamjen e livadhit.
Stephen Bett, një ish-komisioner i policisë dhe krimit për Norfolk, krijoi pengesën pasi 95 pemë të cilat ai mbolli më parë u prenë nga një person i panjohur gjatë natës.
Duajt e kashtës mbi njëra-tjetrën afër pronës së tij, mbulojnë të gjithë gjerësinë prej 60 metrash të kopshtit të pasmë të shtëpisë njëkatëshe të fqinjës të tij Maxine Turner, përcjell rtv21.tv
Muri i ka privuar zonjës Turner, 78 vjeçe, pamjën që ajo kishte më parë nga kuajt në livadhin e parkut të zotit Bett, përballë rezidencës së tij të shekullit të 18-të në Thornham, Norfolk.
John Turner, 50 vjeç, i cili jeton me nënën e tij e akuzoi Bett për vendosjen e duajve të kashtës si “një akt inati”, raporton The Mirror.
Por Bett, 69 vjeç, këmbëngul se ai i kishte ngritur ato vetëm sepse nuk donte t’i shikonte fqinjët e tij “duke bërë grill”.
“Duket se ai po më fajëson mua për prerjen e pemëve të tij sepse unë jam një nga njerëzit më të rinj këtu, por nuk e bëra. Ai i ka vendosur duajtë e kashtës jashtë shtëpisë së nënës sime dhe jo ndonjë nga shtëpitë e fqinjëve të tjerë, sepse donte të na shqetësonte”, tha John Turner.
“Bett ka qindra hektarë tokë bujqësore dhe ai mund t’i kishte vendosur ato kudo, por ai zgjodhi t’i vendoste këtu. Nëna ime ka sklerozë të shumëfishtë, kështu që shikimi i saj po dobësohet. Të shikonte kuajt në livadh ishte një kënaqësi e vërtetë për të, por tani gjithçka që ajo mund të shohë është ky mur i bërë me kashtë. Ajo ka jetuar këtu për 40 vjet dhe nuk ka parë kurrë diçka të tillë”, shtoi ai.
Turner tha se atij iu tha nga Këshilli i Distriktit të Norfolkut të Veriut se Bett kishte të drejtë të vendoste baletat e tij ku donte në 2 mijë hektarë tokë.
“Policia thotë se nuk mund të bëjë asgjë sepse nuk është krim. Ata thonë se nuk ka ligj kundër të qenit hakmarrës”, theksoi Turner./21Media