Skuadra zvicerane e futbollit vjen në Novi Sad më 25 mars të vitit të ardhshëm, ku do të luajë kundër Bjellorusisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian 2024.
Kështu vendosi organizata evropiane e futbollit UEFA, pasi Bjellorusia është nën sanksione dhe nuk mund të luajë ndeshje në shtëpi. Arsyeja është mbështetja e vendit për Rusinë në konfliktin me Ukrainën.
Megjithatë, vendimi për të luajtur në Serbi është befasues duke marrë parasysh historikun e ndeshjeve ndërmjet Serbisë dhe Zvicrës në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës. Zviceranët eliminuan Serbinë nga gara si në Rusi, ashtu edhe Katar.
Ato duele u shënuan me incidente dhe provokime të shumta nga ana e Serbisë, të cilët kishin probleme me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, kosovarët që përfaqësojnë Zvicrën. Në të dyja ndeshjet, gjithçka ishte në prag të një përballjeje fizike. Madje, në Katar, trajneri i Serbisë, Dragan Stojković, ofendoi rëndë duke sharë me nëna shqiptarët në momentin kur kombëtarja e tij kaloi në epërsi.
Mbetet për t’u parë nëse UEFA do t’i qëndrojë vendimit të saj, sepse është e qartë se, nëse mbetet, Bjellorusia me siguri do të ketë një mbështetje të madhe në Novi Sad dhe pyetja është nëse gjithçka, në një atmosferë kaq të tensionuar, do të kalojë pa incidente./FolDrejt/