Të gjithë banorëve të zonës iu kërkua të mbyllin dritaret dhe të mos dalin jashtë gjatë ndërhyrjes
Nga shpërthimi që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fabrikën kimike Melamin në qendër të Koçevjes në Slloveni janë lënduar më shumë se 10 persona, njëri prej tyre ka pësuar djegie të rënda, njoftoi Administrata për Mbrojtje dhe Shpëtim, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas informacioneve jozyrtare, rreth 20 persona janë lënduar, raporton STA sllovene. Të lënduarit janë transportuar në Qendrën Mjekësore Universitare në Lubjanë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet zjarrfikëse dhe mjekësore, një laborator ekologjik me një njësi mobile, si dhe një helikopter, njoftoi Administrata e Mbrojtjes dhe Shpëtimit.
Ekipet e ambulancës ndodhen në vendngjarje, ndërsa rruga kryesore nëpër Koçevje është e mbyllur.
Të gjithë banorët e kësaj zone këshillohen të mbyllin dritaret dhe të mos dalin jashtë gjatë ndërhyrjes. Gjithashtu, ata nuk duhet t’i afrohen vendit të aksidentit, tha Drejtoria e Policisë së Lubjanës.
Kompania, e cila është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në rajon, është e angazhuar kryesisht në prodhimin e rrëshirave për bojëra dhe llaç, si dhe në industrinë e drurit, ndërtimit dhe tekstilit./FolDrejt/