Tentoi të kalonte kufirin me automjet të vjedhur, në pronësi të një institucioni të Republikës së Kosovës, vihet në pranga.
Në PKK Qafë Morinë, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Audi A3”, me drejtues shtetasin B. S., banues në Obiliq, Kosovë.
Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.
Në përfundim të veprimeve proceduriale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasin B. S., 43 vjeç, banues në Obiliq, Kosovë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.