Lista Serbe e ka bërë të qartë misionin e ri të saj në skenën politike kosovare. Ajo dëshiron që ta largojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nga pozita e tij, shkruan Fol Drejt.
Sipas këtij subjekti, që trupin e ka në Kosovë, por kokën në Beograd – sipas njohësve të zhvillimeve politike, është në interesin e të gjithëve që Kurti të largohet nga pushteti.
“E vetmja gjë e vërtetë që tha ministri i frikësuar Xhelal Sveçla në deklaratën e tij është se Lista Serbe nuk bashkëpunon me qeverinë e Albin Kurtit, sepse punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është largimi i Albin Kurtit nga pushteti, i cili është në interesin tonë dhe në interesin e të gjithë atyre që duan të jetojnë në paqe në këtë zonë”, thuhet në njoftim.
Lista nuk e ka kursyer as ministrin Xhelal Sveçla, për të cilin kanë thënë se “po dëshiron që ta nisë një luftë të re!”
Sipas listës, serbët, megjithatë, janë më të bashkuar se kurrë dhe se “nuk mund të pranojë se serbët janë të vendosur të mbijetojnë dhe të qëndrojnë përkundër kërcënimeve të tij, t’i besojnë kryesisë së Listës Serbe.”/FolDrejt/