Lionel Messi largohet nga PSG dhe i bashkohet një klubi në Arabinë Saudite, shkruan agjencia franceze e lajmeve AFP, duke thënë se informacioni është i besueshëm.
Ata nuk specifikojnë se për cilin klub bëhet fjalë, edhe pse prej disa kohësh spekulohet se argjentinasi mund të nënshkruajë me Al-Hilal. Kontrata e tij e re do të jetë “e madhe”, shkruan AFP pa specifikuar shumën e saktë. Spekulohet se arabët mund t’i paguajnë Messit nga 500 deri në 600 milionë euro.
Kështu ai do të shkonte në Al-Hilal si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me PSG-në skadon në verë. Messi shkoi në Arabinë Saudite javën e kaluar pa lejen e klubit, i cili e pezulloi atë për gjashtë ditë dhe i zbriti pagën për gjysmën e muajit të kaluar. Argjentinasi kërkoi falje publike dhe shpjegoi se kishte një keqkuptim sepse mendonte se do ta kishte atë ditë pushimi.
Ronaldo vs Messi sërish?
Kreu i shtetit në Arabinë Saudite u përfshi në sjelljen e Cristiano Ronaldos në Al-Nassr dhe sjellja e Lionel Messit do të ishte një fitore e madhe për ta. Synimi i arabëve është të tërheqin dy nga futbollistët më të mirë të kësaj epoke për të luajtur sërish kundër njëri-tjetrit në të njëjtën ligë.
Messi thuhet gjithashtu se po mendonte të rikthehej te Barcelona, nga e cila u largua për shkak të kolapsit financiar të klubit. Rikthimi në Katalonjë do të ishte jashtëzakonisht i komplikuar për shkak të kufizimeve financiare të vendosura ndaj klubit nga drejtuesit e ligës spanjolle. Kështu Messi do të duhej të luante për pagën minimale, transmeton Fol Drejt.