Christian Eriksen ka zbuluar se ai ka marrë tashmë oferta përpara nisjes së merkatos së verës dhe ndër skuadrat të cilat përmenden si destinacioni i ardhshëm për danezin janë Manchester United dhe Tottenham.
Mesfushori ka pasur një ecuri shumë pozitive në Premier League që kur u kthye në fushën e blertë dhe në kampionatin anglez në janar. Eriksen iu bashkua Brentfordit me një marrëveshje afatshkurtër në janar, pasi kishte kaluar më shumë se gjysmë viti pushim pas atakut kardiak që pësoi në Euro 2020.
30-vjeçarit iu ndërpre kontrata me Interin në dhjetor për shkak të moslejimit për të luajtur në Serie A me një defibrilator në zemër. Pasi u stërvit përsëri në Danimarkë me një nga ish-klubet e tij, ai u kthye në Angli dhe që atëherë i ka surprizuar të gjithë me formën e mirë që ka shfaqur.
Eriksen ka luajtur rol vendimtar në ecurinë e Brentford, megjithatë ai ka kontratë me klubin në fjalë deri në fund të këtij sezoni, më pas do të jetë lojtar i lirë.
Trajneri i Brentfordit, Thomas Frank, do që ta mbajë Eriksen edhe për sezonin e ardhshëm, por duket se ata do të duhet t’i bëjnë një ofertë goxha të mirë lojtarit, pasi tashmë janë disa klube të tjerë që do donin të kishin shërbimet e danezit.
Manchester United është ndër klubet që thuhet se janë të interesuar teksa kërkojnë mesfushorë të rinj, ndërkohë që është paralajmëruar edhe një rikthim në Tottenham, ku Eriksen do të gjente trajnerin që ka pasur te Inter dhe me të cilin fituan titullin e Seria A, Antonio Conte-n.
Ndërkohë mesfushori ka thyer heshtjen dhe ka folur për të ardhmen, duke konfirmuar se klubet tashmë e kanë kontaktuar.
“Kam oferta dhe opsione të ndryshme, të cilat po i shqyrtojmë dhe më pas do marrim një vendim”, tha Eriksen për “Viaplay”./supersport