Pas më shumë se 24 orësh është arrestuar Ramis Mici, autori i krimit që tronditi Elbasanin.
Mici masakroi me thikë bashkëjetuesen e tij, Jetlira Elezi, në banesën që kishin marrë me qira në lagjen “Skënderbej”.
Burime për Abc bëjnë me dije se në polici është shoqëruar edhe vëllai i viktimës, i cili kishte deklaruar në rrjete sociale se do të merrte hak ndaj Micit dhe familjarëve të tij.
Mësohet se Ramis Mici ishte fshehur poshtë përroit të Zaranikës. Ai që prej ditës së djeshme, pasi kreu krimin dhe u arratis kishte qëndruar poshtë urës.
37-vjeçarja Jetlira Elezi kishte 6 vite që bashkëjetonte me Micin.
Ajo ishte nga qyteti i Belshit, dhe kryesisht të dy ishin pa punë të qëndrueshme.
Jetlira Elezi ishte e divorcuar dhe kishte një vajzë edhe autori është i divorcuar dhe ka dy fëmijë.
Abc mësoi se 6 ditë para krimit makabër, Elezi kishte kërkuar urdhër mbrojtje. . Burime zyrtare nga prokuroria e Elbasanit i thanë ABC se pesë ditë më parë ata ishin shoqëruar në ambientet e policisë Elbasan, ku ajo kishte denoncuar dhunën e bashkëjetuesit.
Ishte pronari i banesës ai që e gjeti Jetlirën të mbuluar nga gjaku ditën e djeshme.
“Doli ai nga dera, e kishte përplas derën. Kur e pashë ajo kishte rënë përmbys, gjak dynjaja. Kjo ka ndodh nga ora 12.50”, tha ai për mediet.
Shkak i ngjarjes së rëndë dyshohet se ka qenë xhelozia. /abcnews.al/