Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se e mbështet interesimin e Gjermanisë dhe Francës për ndihmë në dialogun me Serbinë.
Ai tha se këto dy vende do të ndërmjetësojnë në Bruksel për një marrëveshje ligjërisht obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke.
“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemër të së cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e për neve posaqërisht ndodhet Gjermania dhe Franca, adaj ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të vendit të Kosovës, vendit tonë, Republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti pas ceremonisë së shënimit të 23-vjetorit të Policisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Tutje, Kurti ritheksoi se në pikat kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përcjell Klankosova.tv.
“Në pikat kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptonte liri të plot të lëvizjes, meqenëse liria e cunguar nuk është liri dhe këtë gjë zëvendëskryeministri është duke adresuar edhe me ndërmjetësit. Për në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, padyshim që ajo vlen. Veçse unë e kuptoj se nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”, u shpreh Kurti.