Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës -AGK, e konsideron të papranueshme sjelljen e kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ndaj gazetarit të kanalit të dytë të transmetuesit publik, RTK2, Bojan Tomic.
Gazetari e ka njoftuar AGK-në se në ditën e aksionit të Policisë në Komunën e Shtërpcës ka pritur në radhë që të marrë një prononcim të kryetarit Jevtiq për aksionin, por ai ka refuzuar duke e ofenduar gazetarin.
“Ti mos m’u drejto. Të gjithëve mund t’ju jap deklarata, vetëm ty jo. Ti nuk je gazetar, ti përhapë gënjeshtra dhe të pavërteta. Ti nuk je gazetar. Flas për të gjithë, por për ty jo”, citon Tomic t’i ketë thënë kryetari Jevtiq.
Sipas gazetarit të RTK2, arsyeja e sjelljes së Jevtiqit mund të lidhet me një kronikë të këtij televizioni për nivelin e ujit të pijshëm në këtë komunë.
AGK-ja e dënon gjuhën e përdorur nga kryetari Jevtiq, dhe u kujton zyrtarëve të zgjedhur publik që e kanë për detyrë të japin informacione në interes të publikut. /Telegrafi/