Ish-anësori i Chelseat, Eden Hazard ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli, shkruan BBC Sport, transmeton Fol Drejt.
Hazard, 32 vjeç, iu bashkua Real Madridit nga Chelsea në vitin 2019 për 89 milionë funte, por luajti vetëm 54 ndeshje në ligë për gjigantët spanjoll dhe u largua nga klubi në fund të sezonit të kaluar.
Ai fitoi dy tituj të Premier League gjatë kohës së tij në Stamford Bridge.
“Duhet të dëgjoni veten dhe të thoni ndaloni në kohën e duhur”, tha Hazard, i cili ka qenë një futbollist i lirë që kur kontrata e tij u ndërpre në qershor.
“Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjeve të luajtura, kam vendosur t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist”.
Belgu tashmë ishte tërhequr nga futbolli ndërkombëtar dhjetorin e kaluar pasi ishte pjesë e skuadrës që u eliminua nga Kupa e Botës 2022 gjatë fazës së grupeve.
Në Real Madrid, Hazard fitoi Ligën e Kampionëve, një Kupë të Botës për Klube, një Superkupë Evropiane, dy tituj të La Ligës, një Copa del Rey dhe dy Superkupa spanjolle. Por koha e tij në Spanjë konsiderohet gjerësisht zhgënjyese – ai shënoi vetëm 7 gola në 76 paraqitje në të gjitha garat.
“Një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e Chelseat”, tha klubi i Premier League në faqen e tyre të internetit, duke shtuar se “ai do të ishte gjithmonë i mirëpritur të kthehet në Stamford Bridge”.
Hazard e filloi karrierën e tij me klubin francez Lille, duke shënuar 50 gola në 149 paraqitje dhe duke ndihmuar klubin të fitonte një Ligue 1 dhe Coupe de France në sezonin 2010-11./FolDrejt/