Kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, është gjetur fajtor, për sa i përket rastit të punësimit të vajzës së tij, transmeton Fol Drejt.
Gjykata Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ia ka shqiptuar një gjobë në shumë prej katërmijë eurosh.
Ky është njoftimi zyrtar i gjykatës:
Dënim me gjobë në shumë prej katërmijë (4.000) euro ndaj të pandehurit Z.E për konflikt të interesit
1 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Z.E për shkak se:
Me datë 20.02.201, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF, ka marr pjesë personalisht në çështjen zyrtare – administrative duke marr vendim me të cilin ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar me datë 02.02.2018, për pozitën “Mjek i praksës së përgjithshme” (një ekzekutues), në atë mënyrë që komisioni në fjalë, e ka përzgjedh vajzën e të pandehurit si më të suksesshmen duke e punësuar te njëjtën si mjeke të praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Me këto veprime i pandehuri Z.E ka kryer vepër penale konflikt interesi nga neni 422 par.1 të KPRK-së
Të pandehurit Z.E gjykata i shqiptoj dënimin me gjobë në shumë prej katërmijë (4.000) euro, të cilin dënim obligohet ta paguaj në afat prej gjashtë (6) muaj, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i pandehuri, dënimin me gjobë nuk e paguan brenda afatit të caktuar atëherë, të njëjtit dënimi me gjobë do t’i shndërrohet në dënim me burg duke ju llogaritur një (1) ditë burgu për çdo njëzet (20) euro të gjobës.
I pandehuri u obliguan që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, të paguaj shumën prej njëqind (100) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Gjykata ka vlerësuar propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve. Prandaj gjykata, bazuar në veprën penale që i vihet në barrë dhe dënimin e shqiptuar të pandehurit, faktin se vajza e tij tanimë nuk punon në atë pozitë dhe nuk ka arsye se mund të pritet përsëritja e veprës, nuk ka shqiptuar dënimin plotësues të propozuar.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.