Hashim Thaçi ndodhet prej 16 muajve në paraburgim në Hagë, aty ku po vazhdon gjyqi ndaj tij dhe tre përfaqësuesve të tjerë të UÇK, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit.
Avokati i tij, në një lidhje me emisionin “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se për rreth 9 muaj, Thaçi ka qenë në izolim të plotë dhe nuk ka mundur të takojë asnjë prej familjarëve të tij, për shkak të masave anti-Covid.
Emocionalisht në çfarë gjendje është Thaçi?
Prej momentit kur është dërguar në paraburgim, tani bëhen 16 muaj ka qenë në një gjendje jashtëzakonisht të mirë shpirtërore, i përqendruar vetëm në përgatitjen e mbrojtjes së tij. Emocionalisht është shumë i fortë.
Me se merret gjatë ditës, ndjek lajmet, zhvillimet, lejohet?
Jo. Lexon kryesisht literaturë që nuk ka të bëjë as me Ballkanin. Njihet me shkresat e lëndës që ne i kërkojmë komente dhe përgjigje…
Është në izolim të plotë?
Është në burg, burgu është burg edhe aty është i izoluar.
Lejohet të ketë kontakte, vizita, njerëz?
Mos harrojmë diçka, deri në fund të Korrikut në mos gabohem, ka qenë në izolim të plotë, me pretendimin e masave parandaluese kundër Covid.
Izolim të plotë?
As nuk ka mundur të takojë asnjë anëtarë të familjes. Rreth 9 muaj ka qenë në izolim të plotë. Asnjë vizitë. Vizitat e para familjare janë lejuar në periudhën e verës, në korrik, mos gabohem.
Po në raport me njëri-tjetrin komunikojnë normalisht?
Nuk i di të gjitha detajet e jetës brenda burgut, por mbase kanë kontakte, aktivitete të përbashkëta. Nga ana tjetër kanë pasur qasje të kufizuara edhe nga burimi i informacionit. Për shembull deri vonë, vetëm transmetuesi publik i Kosovës ka qenë duke u transmetuar aty dhe kanë pasur shumë vështirësi. Tani mbase kanë kuptuar që edhe Klani i Shqipërisë shihet brenda hapësirave të burgut. Mirëpo koha e pandemisë e ka vështirësuar jashtëzakonisht qëndrimin e tyre atje sepse për rreth 9 muaj kanë pasur probleme edhe që të takohen me mbrojtjen fizikisht. Kemi komunikuar përgjithësisht nëpërmjet videolinqeve.
Videon mund ta ndiqni KËTU./TVKlan/FolDrejt/