Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha CNN-in të dielën se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se nëse përpjekja për të negociuar dështon, kjo mund të nënkuptojë se një luftë midis dy vendeve mund të çojë në një “luftë të tretë botërore”.
“Jam i gatshëm të negocioj me të. Unë kam qenë i gatshëm në dy vjetët e fundit. Mendoj se nuk mund ta përfundojmë këtë luftë pa negociata”, tha Zelensky.
Ai theksoi se “nëse ekziston vetëm një për qind e shansit që ta ndalojmë këtë luftë, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi”. Zelensky tha gjithashtu se “forcat ruse erdhën për të na shfarosur, për të na vrarë”.
“Dhe mund të tregojmë se populli ynë është i dinjitoz dhe se ushtria jonë është në gjendje të japë një goditje të fortë, se është në gjendje të kundërpërgjigjet. Por, për fat të keq, dinjiteti ynë nuk do t’i shpëtojë jetët. Pra, mendoj se duhet të shfrytëzojmë çfarëdo formati, çdo shans për negociata, mundësinë për të biseduar me Putinin. Por nëse këto përpjekje dështojnë, do të thotë se kjo është lufta e tretë botërore”, theksoi, ndër të tjera, Zelensky për CNN-in./FolDrejt/