Detaje të reja janë mësuar nga një mega-operacion i policisë italiane në bashkëpunim me autoritetet zvicerane dhe ato shqiptare, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal.
Në pranga kanë rënë 16 shtetas shqiptarë, që sipas medieve në Itali janë pjesë e klaneve të forta të trafikut të drogës, 2 italianë, 4 marokenë dhe 1 tunizian.
Në operacionin në bashkëpunim të Anti Mafias italiane me Prokurorin e Monza-s u aktivizuan 200 oficerë policie të cilët kryen më shumë se 40 kontrolle në ambiente, banesa dhe makina.
Hetimi nisi në vitin 2020 kur në territorin zviceran u kap një shtetas italian me 6 kilogram heroinë.
Sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet zvicerane u bë i mundur zbulimi i dy organizatave kriminale familjare që bashkëpunonin me njëra-tjetrën, bënjë me dije hetuesit italianë. Ato janë familjet Lusha në Peschiera Borromeo dhe Goseni në Cologno Monzese.
Këto familje, në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë kishin ngritur bazat e tyre në Monza Brianza dhe Bergamo, si dhe në Kalabri dhe Zvicër.
Gjatë bastisjes u sekuestruan 42 kg lëndë narkotike heroinë, kokainë dhe hashash dhe 40 kg lëndë përziers, si dhe 2 armë zjarri dhe gati 50 mijë euro cash.
Gjithashtu u identifikuan një apartament dhe një magazinë e përdorur si punishte droge si dhe disa apartamente dhe garazhe që përdoren për ruajtjen e ngarkesave të drogës.
Por jo vetëm kaq, nga disa përgjime telefonike dhe mjedisore, rezultoi se disa anëtarë të njërit prej dy grupeve, së bashku me njeriun në krye të “Grupit Goseni”, menaxhonin në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar një rrjet nxitjeje dhe shfrytëzimi prostitucioni.
Bëhet fjalë për të paktën njëzet vajza nga Evropa Lindore, të detyruara, me kërcënime dhe dhunë, të prostituohen në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale, veçanërisht në zonën Via Ripamonti në Milano, dhe të vihen në dispozicion në faqet e takimeve online.
Të dyshuarit akuzohen edhe për grabitje dhe zhvatje ndaj vajzave. Si dhe kërcënime për porno hakmarrëse dhe shpërndarje të materialeve të ndjeshme ndaj një gruaje që donte të largohej nga rrjeti i prostitucionit, transmeton Tirana News, përcjell Fol Drejt.