Të premten e kaluar, Ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, organizuan në varrezat e krishtera në lagjen Arbëria në Prishtinë një ceremoni përkujtimore për 104 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku morën pjesë edhe Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, për çka kanë shpërthyer një varg kritikash, shkruan Fol Drejt.
Kjo për shkak se në pllakën përkujtimore janë të gravuar emrat e ushtarëve serbë të rënë në vitet 1912 – 1918.
Për këtë ka reaguar edhe aktivisti Shkëlzen Gashi.
Together with Ambassador @Olivier_Guerot today at 11.00 we marked the Armistice of November 11, 1918 to pay tribute to all those who died for our countries in past and current conflicts and wars. pic.twitter.com/9EHIwXYFhY
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 11, 2022
Sipas tij, këto dy ambasada, bashkë me Gardën e FSK-së dhe Ministrin Sveçla, duhet t’iu kërkojnë ndjesë qytetarëve të Kosovës.
“Më 11 nëntor 2022 Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe Ambasada e Francës në Prishtinë, organizuan në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës një ceremoni për 104 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Garda Ceremoniale e FSK-së, e cila qëndroi gatitu pranë pllakës përkujtimore të ushtarëve të rënë sërbë në vitet 1912-1918. Për më keq, në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm i Kosovës, z. Xhelal Sveçla.
Këtu po e sjellë një fotografi të bërë nga agjencia franceze ‘Agence Rol’ në nëntor të vitit 1912 në Prishtinë, e cila dëshmon më së miri për krimet e ushtarëve sërbë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë.
Garda Ceremoniale e FSK-së, Ministria e Brendshme e Kosovës, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë dhe Ambasada e Francës në Prishtinë duhet t’u kërkojnë ndjesë qytetarëve të Kosovës.”
Ua kujtojmë që përgjatë këtyre viteve, shqiptarët e Kosovës përjetuan masakra e dëbime masive nga mbretëria serbe nga viset e banuara me shumicë shqiptare. Këto vite ishin periudhë e errët, për çka dëshmojnë edhe të dhënat historike./FolDrejt/