“Jo kredibile dhe jo kompetente”, po e vlerëson të jetë edhe ministrja e Drejtësisë Gjykatën Kushtetuese duke përkrahur kështu vlerësimin që i jepi zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi këtij institucioni, shkruan Insajderi.
Madje, minsitrja e Drejtësisë u shpreh se Kushtetuesja po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në Drejtësi por edhe në fushat e tjera.
Tutje ajo kritikoi gjykatën për vonesa në trajtimin e kërkesave, vonesa këto që Haxhiu thotë se po bëhen në kundërshtim me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
“Mendoj që është fakt që një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në drejtësi, por edhe në fushat tjera, është Gjykata Kushtetuese. Pse po e them këtë. Sepse opozita po e konsideron si shpëtim. Në mënyrë që të mos jetësohen reformat qoftë në drejtësi, qoftë në aspektin ekonomik-financiar, mirëpo edhe ato në administratën publike. Fakti që Ligji për Gjykatën Kushtetuese thotë që Gjykata Kushtetuese për kërkesat që dërgohen nga ana e Kuvendit, duhet të trajtohen brenda 2 muajve, dhe nga ana tjetër në presim deri në një vit për një aktgjykim, kjo sigurisht përbën problem, sepse ka pasoja afatgjate. Sepse reformat që ne mund ti përfundonim para një viti, sepse Gjykata Kushtetuese s’i ka trajtuar me prioritet, ne jemi të detyruar të presim e të presim me muaj të tërë në kundërshtim me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, një aktgjykim”, ka thënë Haxhiu para gazetarëve.
“Unë kam folur shumë për Kushtetuesen. Prandaj s’kam çfarë të shtoj dhe nuk mendoj që duhet ta marrim dikë me të mirë për të na nxjerrë një vendim të mirë. Prandaj s’është qasje e duhur që ta marrim dikë me të mirë sepse na duhet një vendim i mirë”, theksoi ajo.