Edhe Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të Nagip Krasniqit, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila ia kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh si dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
“Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në vendimin e Supremes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje , në vendimin e Supremes thuhet se, pretendimet e mbrojtëseve se aktvendimet e kundërshtuara përmbajnë shkelje të dispozitave të procedurës penale janë të pabazuara, ngase në këtë çështje penalo juridike si gjykata e shkallës së parë e po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë, drejtë kanë vlerësuar dyshimin e bazuar se i pandehuri Krasniqi ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.
“Kjo gjykatë vlerëson se ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit konform nenit 184 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së, sepse me gjetjen e të pandehurit N.K në liri, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit të provave të veprave penale, duke ndikuar në dëshmitarët të cilët kanë njohuri lidhur me rastin si A.Sh., Y.D., R.B., S.I., E.T., etj., pasi që njëjtit nuk janë dëgjuar ende nga ana e Prokurorisë, sepse shumicën e dëshmitarëve i njihen ngase punojnë në të njëjtin vend të punës, me qëllim të koordinimit të deklaratave të tyre në favor të mbrojtjes, ashtu që në këtë mënyrë i pandehuri po të lihet duke u mbrojtur në liri të plotë, i njëjti do të mund të pengonte rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet tutje në vendimin e Supremes.
Si të pabazuara, Supremja i vlerëson edhe pretendimet e mbrojtësve lidhur me shkeljen e neneve të KEDNJ dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që sipas Supremes në rastin konkret nuk ka shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale, sepse si gjykata e shkallës së parë e po ashtu edhe ajo e shkallës së dytë kanë bërë vlerësimin dhe arsyetimin e duhur, dhe në bazë të vlerësimit të tillë, kanë nxjerrë aktvendimet duke dhënë edhe arsyet të mjaftueshme të cilat si të drejta i pranon edhe kjo gjykatë.
“Ndërsa masat tjera të parapara nga neni 171 të KPP-së, janë të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe sigurimin e rrjedhës normale të procedurës penale”, thotë vendimi i Supremes.
Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia caktoi drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.
Nagip Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.