Parlamenti i Japonisë ka miratuar rezolutën që thekson solidaritetin me popullin ukrainas.
Dhoma e Përfaqësuesve japonezë (Shuugiin) miratoi rezolutën duke thënë se ata “qëndrojnë në solidaritet me popullin ukrainas që shpreson për stabilitetin e vendit dhe rajonit të tyre”.
Vlen të përmendet se rezoluta nuk i referohet faktit se grumbullimi i vazhdueshëm ushtarak i Rusisë në kufirin ukrainas shihet si shkaku i drejtpërdrejt i rritjes së tensioneve rajonale, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ndryshimi i ‘status quo’-së me forcë është i papranueshëm. Qeveria e Tokios ‘ka shqetësim të madh’ për situatën në fjalë”, thuhet më tej.
Në rezolutë, thirrja e drejtuar qeverisë japoneze kërkon “të përdorë të gjitha mjetet dhe të gjitha burimet diplomatike për të vendosur paqen sa më shpejt të jetë e mundur, për të ulur tensionet në Ukrainë”.
Duke tërhequr vëmendjen për faktin se Japonia “mbështet vazhdimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, vendimi bëri thirrje gjithashtu për promovimin e demokracisë në Ukrainë, kontributin për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë vendet e G7.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida pas takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në një samit në internet muajin e kaluar, u zotua për “veprim të fortë në rast sulmi” ndaj ndërhyrjes së mundshme ruse në Ukrainë.