Kompania shumëkombëshe gjermane Siemens njoftoi se do të largohet nga tregu rus, duke iu bashkuar qindra kompanive të tjera që lanë Rusinë për shkak të luftës kundër Ukrainës.
“Kompania ka nisur procedurat për mbylljen e operacioneve të saj industriale dhe të gjitha aktiviteteve industriale”, thuhet në deklaratën e Siemens-it, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Korporata, e cila ka të punësuar rreth 3.000 njerëz në Rusi, pezulloi të gjitha bizneset e reja të dërgesave ndërkombëtare në Rusi dhe Bjellorusi pas fillimit të luftës në shkurt.
“Sanksionet gjithëpërfshirëse ndërkombëtare, si dhe kundërmasat aktuale dhe potenciale ndikojnë në aktivitetet e biznesit të kompanisë në Rusi”, thuhet në deklaratë.
Moska i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Për vendet perëndimore ky është agresion, ndaj të cilit janë përgjigjur me vendosjen e sanksioneve.
“Ky nuk ka qenë një vendim i lehtë, duke pasur parasysh detyrën tonë për t’u kujdesur për punonjësit tanë dhe marrëdhëniet afatgjata me klientët, në një treg ku ne kemi qenë aktivë për rreth 170 vjet”, deklaroi Roland Busch, CEO i Siemens.
Ai shtoi se do të vlerësojë ndikimin e këtij vendimi tek punonjësit dhe do të vazhdojë t’i mbështesë ata sa më shumë që të jetë e mundur.
“Në të njëjtën kohë, ne po ofrojmë ndihmë humanitare për kolegët tanë dhe popullin e Ukrainës dhe qëndrojmë pranë komunitetit ndërkombëtar në thirrjen për paqe”, tha ai./FolDrejt/