Një «analizë e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK)» ka nxitur një valë reagimesh në opinionin publik në vend. E karakterizuar nga gabime të shumta, deri edhe ortografike, ajo i ofendon të gjithë qytetarët e republikës, pa përjashtim! Por për kapitujt e ri të historisë së republikës, nuk përbënë skandalin e vetëm. Thjesht, siç do të thoshte një mik i imi, teksti i analizës vjen qëndisur nga «nji shterpë e pashërueshme e botës së artit që nxjerr veç vnerën si pjellë!»
Nga Imer Topanica
E ashtuquajtura “analizë” me temë «SYNIMET DESTABILIZUESE TË SERBISE NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR», prej së cilës friket analiza e mirëfilltë shkencore, karakterizohet nga gabime gjuhësore elementare, nga pasaktësi shkencore dhe nga mungesa e referencave/ fusnotave. E shkruar në një stil të dobët letrar, në veçanti targeton disa entitete, ndoshta më tepër për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohemi si shoqëri. Në këtë vazhdë, turqia dhe muslimanët* janë dy ndër to.
«Frustrimet e nacionalizmit serb mbi këtë mit i kanë shkaktuar Kosovës tragjedi të mëdha, herë duke e pushtuar atë me luftëra të përgjakshme, herë duke ushtruar gjenocid (mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit, 30 mijë të vrarë më 1913, mbi 250 mijë të shpërngulur në Turqi para dhe pas Luftës së Dytë Botërore etj.) dhe herë tjetër, përmes një propagande të financuar dhe të orkestruar nga shteti, duke i stigmatizuar kosovarët në opinionin evropian si fundamentalistë islamikë, të prirë për terrorizëm, për krim dhe bëma të tjera jocivilizuese» – thuhet ndër të tjera në këtë “analizë”.
Nga kjo pjesë teksti, kuptohet se vetëdija e akademikëve tanë, ka ngecur aty, në batakun e komunizmit. Me shumë të drejtë kritikët e historiografisë komuniste, konstatojnë se ajo vuan nga mitet, legjendat dhe fryma folkloriko-romantike.
«Ka njëzet vite që në historiografinë e Shqipërisë zyrtarisht është imponuar një qëndrim negativ karshi Perandorisë Osmane, invazionit të turqve në Ballkan, kulturës lindore, madje kundër çdo prurjeje që ka të bëjë me Lindjen.
Me një fjalë, kundër çdo fenomeni dhe ndodhie që ka ardhur nga pushtimi osman i Ballkanit.
Në shumë vende të librit “Historia e popullit shqiptar” (“Historia e popullit shqiptar I”, botim i dytë, Prishtinë, 1969, në disa vende), i cili dhe reflekton qëndrimin zyrtar të historiografisë shqiptare, hasim shprehje të panjohura për terminologjinë shkencore, si për shembull “turqit e tërbuar”, “hordhitë turke”, “aziatikët turq”, “barbarët”, etj..
Për të parë se deri në çfarë niveli ka arritur ky romantizëm kombëtar, kjo ndjenjë nënvlerësuese, kjo shpirtngushtësi shkencore, kjo shkëputje nga rrjedhat historike dhe kjo mospërfillje e të vërtetave shkencore, duhet t’u hedhim një sy kumtesave të Konferencës së dytë albanologjike të organizuar në Tiranë me rastin e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut më datë 12-18. I. 1968, (Konferenca e dytë e studimeve albanologjike I, Tiranë, 1969 – P.sh» – vë në dukje Hasan Kaleshi, te kumtesa e tij «ARDHJA E TURQVE NË BALLKAN DHE PËRHAPJA E ISLAMIT, SHKAQET THEMELORE TË VAZHDIMËSISË ETNIKE TË SHQIPTARËVE». Kaleshi, si një ndër historianët më të mirë në fundshekullin e kaluar, ishte i pari që i identifikoi “llapërçinat shkencore” të historianëve falsifikues, duke bërë thirrje që shkenca e historisë të çlirohet nga mitet, legjendat dhe gënjeshtrat “shkencore”.
Kaleshi shkon edhe më tej, kumtesa e tij e publikuar para disa dekadave, sikur i jep përgjigje “analizës” së akademisë së sotme:
«Administrata e osmanëve në Ballkan, shpërbërja e Perandorisë Osmane dhe padrejtësitë që me të vërtetë iu bënë popullit shqiptar shihen nga prizmi i shekullit XIX. Gjykohen ndikimet shumë të mëdha të orientit në secilin dimension material e shpirtëror të popullit shqiptar. (P.sh. në të gjitha shkrimet rreth folklorit shqiptar nuk thuhet asnjë fjalë për ndikimin e kulturës orientale, megjithëse ky ndikim është tepër i madh. Për këtë shih shkrimin tonë: “Orientalische Einflüesse in den Albanischen Volkserzahlungen Südost – Forschungen”, Band XXXI, München 1972, 267 – 301). Ngrihen në qiell shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan në latinisht dhe italisht, kurse hidhet poshtë tërë letërsia e atyre shqiptarëve që shkruan në gjuhët orientale. Shumica e këtyre shkrimtarëve jo që jetuan nëpër vende të huaja, por jetuan e krijuan në atdheun dhe në mesin e popullit të tyre. Në njërën anë promovohen veprat “atdhetare” të disa aktivistëve të dyshimtë të periudhës së Rilindjes Kombëtare, e në anën tjetër lihen në harresë personalitete të dobishme të kombit shqiptar. (Në librin “Historia e letërsisë shqipe I-II” të botuar nga Instituti Shtetëror i Tiranës, një kapitull iu është kushtuar humanistëve shqiptarë që shkruan në gjuhën latine dhe italiane, por nuk thuhet madje një fjalë e vetme për Koçi Beun, Lytfi Pashën, Jahja Bej Dukagjinin, Mesihin nga Prishtina, Shemsedin Sami Frashërin, Mehmet Akif Ersojin, e shumë të tjerë që lanë gjurmë në letërsinë dhe shkencën turke. Nga letërsia janë tërhequr edhe ata emra të poetëve shqiptarë që krijuan shqip me alfabet arab).»
Ndërsa për “pushtimin” nga Perandoria Osmane, Kaleshi shkruan kështu:
«Pa dyshim se pushtimi i Ballkanit nga turqit rezultoi me dëme të rënda për serbët, grekët, bullgarët dhe disa popuj të tjerë të Ballkanit, të cilët kishin shtet, organizim të kishës, kulturë, letërsi dhe shkrim të vetin. Pushtimi turk i dha fund procesit zhvillues të këtyre popujve, si dhe ngadalësoi zgjimin e tyre kombëtar dhe kulturor, organizimin si kombe unike dhe pjesëmarrjen në lëvizjet kulturore dhe qytetëruese të Evropës. Por, nuk mund të flitet njëjtë edhe për popullin shqiptar, ngase ai nuk kishte asnjërën prej këtyre që përmendëm. Deri në periudhën kur erdhën turqit, shqiptarët ishin nën sundimin e të huajve dhe nën influencën e kulturës së tyre, dhe pandërprerë asimiloheshin etnikisht dhe kulturalisht. Në kohën që po finalizohej pushtimi turk i Ballkanit, populli shqiptar ndodhej para sprovës më të rëndë historike, pra rrezikonte të asimilohej i tëri.»
I njëmendët me të është edhe historiani Oliver Jens Schmitt. Te libri i tij SHQIPTARËT, ai identifikon arsyet se pse historianët tanë për dekada me radhë na e kanë mohuar identitetin e shumëfishtë tonin:
«Historia shqiptare si histori Ballkani ravij on mbivendosjet shoqërore dhe kulturore midis shqiptarësh e grekësh, sllavësh të Jugut, romanësh të Ballkanit, turqish, po edhe italianësh, romësh dhe bashkësive mjaft të vogla hebreje.
Megjithatë, kjo nuk bën që historia shqiptare të tretet në një rrëfim multietniciteti. Pasi një mënyrë e tillë të menduari, përveçse nuk është e saktë për nga përmbajtja, përshfaq në Ballkan edhe një dimension politik: prej shekullit 19, nacionalistët, sidomos në Greqi dhe në Serbi, ua mohojnë shqiptarëve një histori të vetën dhe i vështrojnë ata ose si një popull barbar pa kulturë, që duhet pushtuar dhe qytetëruar, ose si pjesë të kombit të vet, meqë gjithë ortodoksët shqiptarë “në të vërtetë”, për arsye të besimit të tyre, qenkëshin grekë, ndërsa shqiptarët myslimanë të Kosovës “në të vërtetë” serbë, që janë islamizuar e shqiptarizuar. Nga frika e pretendimeve të tilla, historianët shqiptarë mohojnë identitetin e disafishtë dhe çdo ambivalencë kulturore.»
PO ÇFARË KISHTE PARA PERANDORISË OSMANE?
Në përgjithësi nga historianët shqiptarë (këndej e andej kufirit), pretendohet se lidhja e shqiptarëve me ilirët, është e padiskutueshme. Teza e tillë, nuk është mbështetur nga një gjuhë argumentuese. Në studimin ‘Historia e Kosovës – në tekstet mësimore të historisë në Kosovë, Shqipëri, Sërbi, Mali i Zi dhe Maqedoni’, autori Shkëlzen Gashi vë madje theksin te fakti se, historianët tanë s’arrijnë ta përshkruajnë periudhën e mesjetës, veçse në mënyrë sipërfaqësore:
«Që nga ndarja e Perandorisë Romake në vitin 395 në Perandori të Perëndimit me seli në Romë dhe Perandori të Lindjes (Bizanti) me seli në Kostantinopojë, territori i Kosovës, që atëherë nuk kishte ndonjë rol, mbeti nominalisht nën sovranitetin e Bizantit. Në vitet 547-548 sllavët pushtuan territorin e Kosovës së sotme, e pastaj depërtuan deri në Durrës, kurse vite më vonë u futën deri thellë në Greqi. Gjatë viteve 610-620 sërbët u vendosën në zonën e Rashkës në veri-perëndim të Kosovës të sotme dhe në regjionin e sotëm të Malit të Zi, ndërsa në mes të shek. 7, nga tokat bregdetare të Malit të Zi u shtrinë në Shqipërinë veriore. Në vitin 850 bullgarët futën nën kontroll Kosovën, e cila mbeti nën sundimtarë bullgarë deri në vitin 1014-18, kur mbreti Samuel vdiq dhe perandoria iu shthur. Më pas u rivendos pushteti bizantin nën perandorin Basil, dhe për gati dy shekuj Kosova ishte nën Bizantin.
Mungesa e burimeve për periudhat e lartpërmendura bën që prezentimi i tyre në tekstet mësimore të historisë të Kosovës dhe të vendeve përreth të mungojë ose të jetë kryesisht sipërfaqësor. Prandaj ky kapitull synon të hetojë vetëm se si paraqiten: dyndja e sllavëve/sërbëve në Ballkan/Kosovë; sundimi bullgar (850-1018); risundimi bizantin (1018-1216); qëllimet, bashkëpunimet dhe konfliktet e shqiptarëve me të tjerët gjatë këtyre periudhave.»
Deri me ardhjen e Perandorisë Osmane, shekujt e mesjetës e gjejnë Kosovën nën sundimin serb. Këtë fakt nuk e mohojnë as historianët shqiptarë, por në tekstet e tyre kjo periudhë, ani pse e gjatë, kalohet telegrafikisht. Prandaj teza e Kaleshit që thotë se ardhja e osmanëve në Ballkan, mund të konsiderohet humbje për serbët, grekët dhe popujt e tjerë, por jo edhe për shqiptarët (shih tekstin më sipër), merret më seriozisht se sa e të tjerëve.
KUSH E DEMANTON “ANALIZËN” E AShAK-ut
Jo një herë, por më shumë se sa një herë, në analizën e akademisë, Turqia si faktor aktual politik në Ballkan, vihet në radhë me Kinën, e madje edhe Rusinë. Synimet e saj, sipas analizës në fjalë, dalin me qenë të njëjta.
«Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.
Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë.»
Po pse Turqia nuk është anëtare e NATO-s? Nuk është aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Patjetër që po, por, siç e thamë, AShAK-u ka ngelur në vitet e komunizmit, sepse, si është e mundshme që një Turqi, duke i pasur synimet e njëjta me armiqtë e Perëndimit – Kinën edhe Rusinë, ta njoh Republikën e Kosovës, ta mbështes atë në kauzën shtetformuese, ta ndihë atë në aspektin politik, ekonomik, ushtarak, shëndetësor, arsimor e kulturor? Mbi 40 marrëveshje të protokolluara janë nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Gatishmëria e saj për ta ndihur Kosovën, kurrë nuk është vënë në dyshim, përveç në raste përjashtuese (sikur ky nga AShAK-u).
Po ashtu, për sa i përket Islamit dhe përhapjes së tij në vend, siç cituam autorët e mësipërm, versioni komunist i AShAK-ut, nuk ka kredibilitet.
Togfjalëshat “rrymat radikale islamike”, “islami radikal”, “islamizmi” etj, janë ndër më të përdorurit, kur bëhet fjalë për këto raporte kulturore. Të krijohet përshtypja që Islami, përkatësisht muslimanët në Kosovë, janë përnjëmend “vegël” e politikës shoveniste serbe. Por si është e mundur që gjatë luftës së fundit në Kosovë, një ndër objektivat e militarëve dhe paramilitarëve serbë që kryen gjenocid dhe kulturocid në Kosovë, ishin edhe objektet e kultit – xhamitë? Sipas András Riedlmayer, ekspert botëror për arkitekturën islame në Universitetin e Harvardit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 98 – 99, janë djegur ose shkatërruar plotësisht qindra xhami.
«Mos harroni se gjatë luftës së viteve 1998-1999, 218 xhami, rreth 40% për qind e të gjitha xhamive në Kosovë, u shkatërruan apo dëmtuan, si pasojë e sulmeve nga forcat serbe» – thotë ai në një intervistë të paradokohshme të dhenë për KosovaPress.
Për më tepër, në luftën e fundit kishte edhe hoxhallarë të cilët i ishin përgjigjur thirrjes për mbrojtje të atdheut. Sipas librit ‘MONOGRAFI’ (BIK-Prishtinë 2010, me autorë Ramadan Shkodra, Sadik Mehmeti, Agim Gashi); hoxhallarët – dëshmorë, që ranë heroikisht në luftën e fundit në Kosovë, e të cilët edhe zyrtarisht ishin pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës, janë me dhjetëra (1.Abdullah Muqaj; 2.Abidin Myrtezi; 3.Alban Xhemajli; 4.Arben Hyseni; 5.Arif Shala; 6.Asan Hasallari; 7.Behar Abdylmexhiti; 8.Beqir Krasniqi; 9.Fadil Rashiti; 10.Feti Sofi; 11.Habib Hoxha;12.Hajdin Aruqi;13.Hajrullah Bega; 14.Halim Bajraktari; 15.Hysen Zeka; 16.Isak Mazreku; 17.Ismail Mziu; 18.Ismet Limani; 19.Januz Zejnullahu; 20.Muhamed Biqku; 21.Muhamet Ukshini; 22.Muharrem Gashi; 23.MustafeVeseli; 24.Nisret Ajdari; 25.Nuhi Ismajli; 26.Nysret Musa etj). Prandaj, qoftë për asgjë tjetër, për këtë fakt, është turp dhe gomarllëk t’i rreshtosh synimet e muslimanëve shqiptarë me ato të shovinistëve serbë.
MARRET E AKADEMISË
“Analizës” së akademisë, një medium i yni ia numëroi hiç më pak se 118 gabime drejtshkrimore. Kryeakademiku Mehmet Kraja, javë më parë, thoshte që standardin e 72-tës nuk kanë arritur ta përvetësojnë vetëm shkrimtarët e dobët. Duke qenë ai vetë shkrimtar i dobët, nuk do të ishte aspak e çuditshme që autori i analizës të jetë vetë ai.
Por a është kjo marrja më e madhe e kësaj akademie? Natyrisht se jo. Disa nga ato që janë konsideruar si projekte kapitale nga vetë ajo, kanë marr kritika serioze, deri në shkallën sa është kërkuar të rishikohen, të tërhiqen, a të rishkruhen – siç është rasti me Fjalorin Enciklopedik. Studiuesi Shkëlzen Gashi, ishte ndër të parët që raportoi për skandalin e AShAK-ut, duke kërkuar madje, tërheqjen e fjalorit nga tregu. Në artikullin «Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ‘masakron’ masakrat në Kosovë» – ai zhbiriliron faktet, identifikon boshllëqet dhe konstaton lëshimet e pafalshme te projekti në fjalë.
«Nga gjetjet e mia u shokova nga mënyra se si paraqiten këto masakra në një publikim të institucionit më të lartë të shkencës në Kosovë» – shprehet i habitur ai.
Gazetari Gëzim Olluri, ndërkaq, në një reagim në llogarinë e tij në Facebook, paralajmëron se së shpejti do t’i adresohet AShAK-ut me një letër publike.
«Ne duam të dimë pse Slobodan Kostić është pjesë e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës e askund nuk ceken të bëmat e tij kundër librit dhe bibliotekave shqipe.
Kostići asht nismëtari që ka fillu me i zbatue urdhrat e Beogradit për të shkaktuar kulturocid kundër trashëgimise shqiptare, kundër gjuhës shqipe dhe kundër librit shqip. Kostići ka ba çdo gja vetëm e vetëm me zhduke kujtesën tone kolektive. Ai në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës prezantohet vetëm si shkrimtar» – shtjellon arsyen e këtij paralajmërimi, Olluri.
Pra, siç e thamë, kjo llapërçinë pseudoanalitike, “i ka hije” vetëm AShAK-ut tonë. Nëse do të shpreheshim me termat chomskyjan, “kontributi” i vetëm i kësaj analize është ky se: ajo e zhvendosë vëmendjen nga problemet e mëdha dhe serioze me të cilat ballafaqohet vendi ynë. Prandaj, përherë e më tepër më forcohet bindja se, kjo “akademi”, e populluar më shumë me dembelë, shkencëtarë anakronikë, shkrimtarë të dobët dhe njerëz që e urrejnë vetveten, duket të mbyllet një orë e më parë./FolDrejt/