Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë të shtunën se seanca do t’i vazhdojë punimet më 4 prill në orën 17:00.
Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit.
Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.
Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Por, tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), kërkon nga subjektet politike që të përfshihen në konsultat e nevojshme, në funksion të arritjes së konsensusit për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit të vendit.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.