Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, është deklaruar rreth çështjes së shamiave, nëse ato duhet lejuar të barten apo jo, në shkollat publike, shkruan Fol Drejt.
Sipas Presidentes Osmani, referencë bazë për këtë diskutim është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila është ndërtuar mbi parimin e laicitetit:
“Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fondamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues, ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Kosovës të respektohet ky parim. Çështja e dytë që e ka përcaktuar qartë kjo kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të Republikës së Kosovës që respektojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut”.
Në një mënyrë, presidentja u ka bërë thirrje të gjithë atyre që konsiderojnë se u është shkelur e drejta, të ndjekin rrugët ligjore, duke e çuar çështjen në gjykatë:
“Prandaj nëse dikush mendon se po cenohet ndonjë e drejtë ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri te Gjykata Kushtetuese. Si presidente e vendit do të vazhdoj të kërkoj të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë progresiste…”
Këto komente presidentja i bëri pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj./FolDrejt/