Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka mbështetur portierin David De Gea, gabimi i të cilit pati një ndikim vendimtar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes, pas humbjes nga West Ham.
Manchester United ishte një udhëtar i besueshëm për në Ligën e Kampionëve vetëm pak javë më parë, por pas një sërë rrëshqitjesh, tashmë edhe vendi i katërt është në dyshim për ta. Ata janë vetëm një pikë përpara Liverpoolit me një lojë më pak dhe ata po vijnë nga një tjetër paraqitje krejtësisht e dobët që e ka vënë sërish në qendër të vëmendjes portierin më të paguar në botë, David De Gean.
Në minutën e 27-të të ndeshjes, De Gea reagoi keq pas një gjuajtje të mesfushorit të West Ham, Said Benrahma dhe ishte fajtori kryesor për humbjen e United, të cilët sërish nuk shfaqin formën që do t’i mbushte tifozët me optimizëm.
Manchester United ende nuk e ka rinovuar kontratën me De Gean, që do të thotë se në më pak se dy muaj ai mund të largohet nga klubi si lojtar i lirë. Trajneri Erik ten Hag pretendon se klubi do të përpiqet ta parandalojë këtë skenar, transmeton Fol Drejt.