Shkruan: Anisa Bahiti
Edi Rama ka qenë gjithnjë kreativ dhe inovativ. Ai përfaqëson politikanin më afatgjatë në pushtet nga ‘97-ta e deri më sot.
Ka bërë sportistin, artistin piktor, por mbi të gjitha ai ka treguar sa shumë është i dashuruar me pushtetin.
Shkoi në PS me duar në xhepa dhe nxori nga aty pa xhepa fare Fatos Nanon, Ilir Metën dhe të tjerët. I fshiu me gomën e lapsit të gjithë ata që i dolën kundër, nga themeluesit e deri tek të rinjtë si Ditmir Bushati e Saimir Tahiri.
Selinë e PS-së e ktheu si Muzen e Arteve Mesjetare të Korçës që vizitohet ndonjëherë për Krishtlindje nga besimtarët ose artdashësit.
Të gjitha vendimet i merr ai. I çoi të gjithë aktorët në pension politik, nga i pari tek i fundit, në opozitë e pozitë. I futi të gjithë ndërkombëtarët në një furgon me ngjyrat e Rilindjes sikur të ishin ekip basketbolli.
Ka hapur rrugën për të qëndruar në pushtet të paktën edhe 10 vjet. Bën Kryetarin e të gjithë kryetareve të bashkive. Bëri, me sistemin e drejtësisë, atë që ka bërë vetëm Enver Hoxha, por ndryshe nga ai me bekimin dhe mbështetjen më të madhe ndërkombëtare.
Me ‘Open Balkan’ është kthyer në një yll Hollivudi për politikën ndërkombëtare, me një lëvizje të kotë si të vezës së Kolombit.
Ktheu Kuvendin dhe Presidencën si orendi të një sistemi politik që ndonjëherë kujtohen që edhe egzistojnë. Por, sot ai bëri edhe aktin e fundit hollivudian. Pasi shfrytëzoi atë qamet që i panë sytë njerëzve tek SHQUP-i , i kërkoi votuesve të PD, të mos merreshin më me humbës të mbaruar si ata që kanë ngelur në PD të njërit krah apo tjetër, të cilët kanë degraduar si politikanë dhe njerëz.
Me pak fjalë, ai u ka propozuar shqiptarëve një sistem papnor. Një lider shpirtëror dhe absolut mbi të gjithë, nën të cilin ka vetëm kardinalë të emëruar nga ai, klerikë, shërbyes, udhëheqës vendorë të gjithë të emëruar nga ai.
Një gjë është e sigurt. I ka mbetur pa u bere Papë. Por me ata që ka kundër, nëse e fut në mendje, çështje kohe është. Tek e fundit kush do ta ndalë.…