Kryeministri shqiptar Edi Rama tha në programin politik italian “Porta a porta” se nuk po mendon për zgjerimin e Bashkimit Europian pa Serbinë dhe se Shqipëria duhet “ta mbajë Serbinë shumë afër” dhe të punojë për të arritur unitetin politik me të.
Rama tha se është e pamundur të imagjinohet një BE që përfshin Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit pa Serbinë. I pyetur nëse Shqipëria ka frikë nga zgjerimi i mundshëm i Bashkimit Evropian, ku përfshihet edhe Serbia, në një kohë kur Serbia konsiderohet e afërt me Rusinë, Rama u përgjigj se nuk ka frikë prej saj dhe se Shqipëria është zëri i Ballkanit Perëndimor.
“Nga ana tjetër, sigurisht që ka dallime sepse Serbia nuk e sanksionoi Rusinë për arsye të qarta që në një moment duhen kuptuar si arsye të natyrës politike dhe historike, por edhe pragmatike”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë dhe tha se ky konflikt nuk duhet të lejohet të prekë Ballkanin
Ne duhet të bëjmë gjithçka që pasioni për luftë të mos na tërheqë në mosmarrëveshje midis vendeve anëtare të NATO-s dhe pro-NATO-s në Ballkan dhe midis Serbisë dhe komuniteteve që i përkasin botës ortodokse sllave, e cila është e lidhur ngushtë me Rusinë”, theksoi Rama, transmeton Fol Drejt.