Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se i ka propozuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka uruar që ky material të vlerë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete, njofton Klan Kosova.
“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane. Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh”, ka thënë Rama.
Tutje, Rama ka thënë se drafti në fjalë është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë.
“Kjo ditë kur palët dhe në këtë rast, për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë. Palët nuk po merren dot vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst, e jo më se çfarë do të ketë teksti”.
Sipas tij, me këtë dokument konfidencial nuk pretendohet të jetë gjetur zgjidhja e duhur, por është një dokument i nivelit më të lartë që merr në konsideratë se Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Uroj që ky material do të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun dhe për t’i bërë palët që të flasin për gjëra konkrete”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur sot një konferencë për media në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ku ka theksuar se as Kosova dhe as Serbia nuk e do Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, me që Kosova dhe Serbia nuk e duan një gjë të tillë, ato do ta prolongojnë këtë proces duke mbajtur krizën e hapur në veri të Kosovës, shkruan Klan Kosova.
“Situata në veriun e Kosovë po merr për fat të keq përmasat e një tragjedie politike për Republikën e Kosovë. Deklaratat e aleatëve tanë lidhur me këtë situatë janë gjithnjë më alarmante dhe sinqerisht është e pakuptueshme arsyeja e ngurrimit të autoriteteve të Kosovës për de-eskalimin e një situatë ku dukshëm çdo ditë, çdo orë, e humbura e madhe është Kosova”, ka thënë Rama.
“Serbia po bën atë që ka bërë edhe herët tjera, ndërsa Kosova po bën diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë dhe si kurrë më parë po fajësohet botërisht nga të gjithë aleatët strategjik të kombit shqiptar”, ka shtuar ai.
Tutje, ai ka uruar që Kosova të mos sanksionohet nga komuniteti ndërkombëtar për qëndrimin e saj karshi situatës në veri të Kosovës.
“E kam ditur me kohë që mënyra gordiane e dialogut do të ishte deri në fund Asociacioni dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do Asociacioni dhe do të bëjnë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi duke mbajtur të hapur krizën”, ka theksuar Rama. /Klankosova.tv/