Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot para mediave në Granda të Spanjës.
Ai tha se situata në veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme, përcjell Fol Drejt.
Ai tha se aktivitetet kriminale atje janë në përputhje me agjendat politike dhe rreziku është rritur.
“Jam shumë i shqetësuar sepse është një situatë shumë e rrezikshme dhe tani është në një pikë ku, vit pas viti, rreziku potencial është rritur, aktivitetet kriminale në atë pjesë ku jeton pakica serbe në shumicë, janë të përputhura tërësisht me agjendat politike dhe me shumë nacionalizëm. Pra, është shumë e rrezikshme”, deklaroi Rama.
Rama u pyet nëse mendon se duhet të merren masa ndaj Serbisë pas agresionit në Kosovë, duke u shprehur me plot bindje se kjo duhet të ndodhë.
“Jo vetëm që mendoj, por për herë të parë në së paku 10 vjet, Shqipëria nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së pikërisht për këtë. Ne kemi qenë vazhdimisht në pajtim të plotë me BE-në dhe ShBA-në në lidhje me nevojën që autoritetet e Kosovës të ecin përpara, të jenë më proaktivë dhe më konstruktivë në dialog, dhe nga perspektiva jonë, të marrin avantazhin më të mirë nga plani franko-gjerman që është marrëveshje shumë, shumë e mirë për Kosovën dhe për rajonin, por në të njëjtën kohë, vetëm fakti se Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare për të vajtuar pjesëtarët e atij grupi kriminal paramilitar që vrau një polic ishte e mjaftueshme për BE-në që të thotë hapur se kjo nuk është evropiane, nuk është e pranueshme, nuk është e arsyetueshme dhe është e dënueshme”, deklaroi Rama.
“Lufta është fjalë e madhe, por para se të bëhet shumë vonë, duhet të merren masa. Jemi duke e përcjellë situatën, është shumë me rëndësi se ka vullnet shumë të fuqishëm nga NATO-ja që ta forcojë KFOR-in në veri sepse kufiri atje është bërë krejtësisht transparent, ndodhin trafikime kriminale të armëve, dhe në të njëjtën kohë shpresojmë shumë se dialogu do të vazhdojë”, u shpreh kryeministri Rama./FolDrejt/